Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme që të mos ketë rinumërim të votave në Prishtinë e Prizren.

Në një publikim në “Facebook”, Kurti shkruan se me këtë vendim, Gjykata Supreme nuk mbrojti Lëvizjen Vetëvendosjes, por mbrojti vetveten, meqë çfarë qëndrimi tjetër do ta zhvlerësonte atë.

Tutje, Kurti shkruan se vendimi i PZAP’it ishte i bazuar në ankesa të dobëta humbësish (PDK e LDK), që nuk donin ta pranonin humbjen. Andaj kërkoi që të numërohen qetë votat e mbetura, ndërsa në vend të numërimit, të përsëritet festa.

Lexoni të plotë publikimin e Kurtit në Facebook:

Diferenca pa përsëritje

Kuptimi i rinumërimit ishte sabotimi i numërimit. Ankesat e LDK dhe PDK, në Prishtinë dhe në Prizren, ishin ankesa humbësish që nuk duan ta pranojnë humbjen. Donin rinumërim që të mos mbaronte numërimi i cili do të vuloste fituesit e ditur. Rinumërimi do ta ndërprente numërimin, fillimi i rinumërimit do ta përjetësonte pambarimin e numërimit, drejt rivotimit të synuar për shkak të rezultatit të padëshiruar.

Vendimi i PZAP ishte bazuar në ato ankesa të pakta, të varfëra, e të dobëta, përmbajtësisht, logjikisht e gjuhësisht. Gjykata Supreme nuk do të mund ta pranonte këtë vendim të PZAP pa diskredituar veten e saj. Gjykata Supreme nuk mbrojti Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Madje, ajo nuk mbrojti as vetëm të drejtën dhe të vërtetën. Gjykata Supreme mbrojti vetveten. Ajo ndodhej në një situatë groteske: çfarëdo qëndrimi tjetër do ta zhvlerësonte vetë Gjykatën Supreme. Nuk ishin në pyetje vetëm e drejta dhe e vërteta por edhe vetë instanca supreme juridike për këto. Gjykata Supreme vendosi në favor të Gjykatës Supreme.

Le të numërohen qetë e me vigjilencë votat e mbetura. Nuk do të përsëritet numërimi. Le të përsëritet festimi.