Partia Kurde Siriane e Unionit Demokratik sot bëri të ditur se e mbështet idenë për angazhim afatgjatë të forcave të armatosura të SHBA-së në Siri pas humbjes së grupit Shteti Islamik (SHI).

Sipas partisë më të madhe politike të kurdëve sirianë, amerikanët duhet ta vazhdojnë praninë e tyre, derisa nuk gjindet zgjidhje për krizën siriane.

“Pa arritjen e zgjidhjes politike për krizën siriane, me intervenimin aktual turk dhe iranian në Siri dhe praninë e vazhdueshme të Al Kaedës në vend, është më mirë të vazhdojë edhe operacioni i koalicionit”, theksoi bashkëkryetari i partisë, Shahoz Hesen.

Grupet e armatosura të kurdëve sirianë janë partner kryesor në terren të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja në luftën kundër SHI-së në Sirinë veriore dhe lindore.

Luftëtarët kurdë dhe aleatët e tyre arabë, të ndihmuar nga këshilltarët amerikanë dhe sulmet ajrore të koalicionit, i shkaktuan humbje SHI-së dhe e detyruan në tërheqje nga disa rajone, përfshirë edhe “kryeqytetin” e “Kalifatit Islamik” – Raka.

Partia e Unionit Demokratik vendosi administratë autonome në territoret nën kontroll të forcave të kurdëve sirianë dhe kërkoi që Siria të bëhet federatë.

Të hënën, ministri i Mbrojtjes i SHBA.-së Xhejms Matis paralajmlroi  se forcat e armatosura të vendit të tij janë të gatshme  për angazhim afatgjatë në Siri, me qëllim që të  mos lejojnë SHI t’i kthejë territoret mbi të cilat ka humbur kontrollin.