Enver Robelli

Shumica e pjesëmarrësve kosovarë në përleshjet me policinë maqedonase në Kumanovë në maj të vitit 2015 kanë karrierë «të pasur» kriminale. Disa prej tyre aq shumë ia kanë futur tmerrin vajzave dhe djemve në Gjakovë dhe vende të tjera të Kosovës, saqë kur ka ardhur lajmi se janë vrarë në Kumanovë – në Gjakovë është festuar! Disa prej tyre kanë mbushur xhepat me para të mbledhura nga haraçi. Ose nga droga. Edhe sot mbetet mister se kush i dërgoi ata në Maqedoni «për të luftuar». Shefat e tyre në Kosovë, që donin t’i hiqnin qafe nga frika se do të vijë dita të ballafaqoheshin me drejtësinë? Apo këta kosovarë i joshi shërbimi maqedonas me premtime për një «lojë lufte» që do sillte përfitime për të dy palët? Apo në lojë ishin aktive edhe shërbime më të mëdha?
Familjet e tyre kanë qejf t’i shohin «pjesëmarrësit e betejës së Kumanovës» si patriotë. Kjo është e drejtë e tyre. E drejtë e tyre është edhe të mallkojnë Maqedoninë si shtet që nuk ka sistem të pavarur të drejtësisë. Ndoshta është ashtu. Por, si do të reagonte Kosova nëse në territorin e saj do të hynin nja 50 a 100 maqedonas të armatosur rëndë, do të vrisnin nja 10 policë, do të plagosnin dhjetëra të tjerë, do të shkatërronin prona? Shqiptarët anekënd dynjasë do të çoheshin në këmbë për të kërkuar varjen e «terroristëve sllavë». Kumanova është një intrigë e madhe, një kurth dhe lojë shërbimesh dhe pjesë e kësaj loje janë bërë edhe shumë shqiptarë aventurierë. Që tani qeveria e Kosovës merr vendim që familjeve të tyre t’ua paguajë 219 mijë euro gjoja për mbulimin e shpenzimeve është një poshtërsi, madje krim i radhës që vuloset nga vetë kryeministri i Kosovës. Me këso vendimesh ai po shpërfaq në opinion një mentalitet parashtetëror, të rrezikshëm, plaçkitës. Arka e shtetit nuk është e tij! Me këso vendimesh shteti i Kosovës tërthorazi e merr përgjegjësinë edhe për Kumanovën. Si shumë vendime skandaloze të kësaj qeverie edhe ky do të kalojë në heshtje, me gjasë. LDK? VV? PDK?