Rëndom secila rrugë të shpie diku, por kjo rrugë nuk të shpie askund. Këtu në të ashtuquajturën pikë kufitare, vetëm ky gur ndanë Llojanin nga Miratoca, respektivisht ndan llojanasit nga miratocasit. E derisa Qeveria e Maqedonisë dhe ajo e Serbisë nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për hapjen e kësaj pike kufitare, banorët po vuajnë pasojat.

Ne kemi nevojë me e hap kufirin, sepse kufiri na ka bërë pengesë. Gjithë familjen e kemi andej. Ne kur jemi martuar kufi s’ka pasur. E tani kufirin na e vendosën. Familjen e kemi atje. Po duhet me shkuar gjatë, 90 km duke qenë këtu afër 2km.”

Shpresat veçmë janë zbehur te qytetarët e komunës së Likovës, sepse as që po përmendet më ky vendkalim kufitar. Ne kërkojmë të vërtetën. Cila është e vërteta? Pse ky vendkalim nuk hapet, kur e dimë se Republika e Maqedonisë dhe Republika e Serbisë janë pretendente serioze për anëtarësim në Unionin Evropian? Të anëtarësohesh në Unionin Evropian me kufij të mbyllur në shek. XXI është absurde!”

Në fshatin Llojan nuk ka punuar asgjë as për kufirin, por as për fshatin s’ka punuar. Nuk mendoj se, kurrë me këtë strukturë të DUI-t të arrijmë diçka për hapjen e kufirit. Unë jam totalisht i dëshpëruar”

Pala maqedonase nuk është e interesuar aspak për këtë kufi. Madje thënë të vërtetën, as që na numëron ne si popullatë, apo si fshatra që gravitojmë në këto treva. Kufiri Llojan Miratoc është problem të hapet. Partitë tona çdo herë që vijnë në kohën e zgjedhjeve premtojnë gjithçka në lidhje me kufirin, por asgjë nuk është arritur deri sot- ankohen banorët e zonës.

Në Qëndrimin e Qeverisë thuhet se vazhdimisht angazhohen për përparimin e lidhjeve të ndërsjella dhe komunikimin me të gjithë fqinjët dhe mundësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave. I pyetur për mos hapjen e këtij kalimi kufitar, shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov tha se për këtë çështje ka pasur konsultime me Beogradin zyrtar dhe paralajmëroi takim të nivelit më të lartë me palën serbe.

Në parim kemi pasur konsultime me Beogradin, të themi, para 3-4 javëve. Do të vijojë një takim i nivelit të lartë. Është e hapur çështja. Presim përgjigje nga Ministria për Punë të Jashtme e Republikës së Serbisë. Sapo të marrim përgjigje, do të ju informojmë- deklaroi ministër i Jashtëm, Nikolla Dimitrov.

Dy muaj më parë kërkuam qëndrim nga Qeveria serbe, Ministria e Brendshme dhe ajo e Jashtme e Serbisë, mirëpo nga atje nuk kemi marrë asnjë përgjigje për pengesat për mos hapjen e kalimit kufitar mes Lllojanit dhe Miratocës./alsat-m