Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka zhvilluar një bashkëbisedim sot me minatorët e Bulqizës për “Statusin e Minatorit”, një iniciativë e LSI e nisur prej dy vitesh.

‘Minatorët kanë sakrifikuar jetën e tyre për një vend më të mirë. Minatorët nuk kërkojnë lëmoshë, lëmosha është fyerje për ta.

Minatorët kërkojnë atë që u takon. Qeveria të ulet dhe të mos vonojë, të sjellë në parlament statusin e minatorit’, është shprehur Kryemadhi.

Sipas saj, ‘LSI nuk është në opozitë me qeverinë për statusin e minatorit. Nëse qeveria sjell statusin e minatorit në Kuvend, të 19 votat e LSI-së do jenë pro’.

‘Qeveria 40 milion euro dha këtë vit për kazanin e oligarkëve, fatura e statusit të minatorëve është sa 1/4 e fitimit të kazanit të oligarkëve’, u shpreh kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një takim me minatorët në Bulqizë.

Një prej minatorëve iu drejtua znj.Kryemadhi me fjalët:

“Unë s’jam me LSI, por ju dua fort ty dhe Rimin (deputetin Përparim Spahiu). Dua t’jua pyes pse nuk e bëtë këtë tetë vjet në pushtet dhe e bëni tani në opozitë?! Pastaj, Rama ka mbi 71 vota dhe ai ka ai të drejtën e firmës. Po sikur të mos dojë ta firmosë, le ta zëmë, për inat të Rimit?!

Pas minatorit, e mori fjalën deputeti Spahiu, i cili tha se “ne dëshironim që Statusin ta bënim para zgjedhjeve, por na e sorollatën, nuk kalonte në Komisione. Pra, është angazhim total i LSI që kjo histori të marrë fund njëherë e mirë.

\Nëse Rama nuk dëshiron ta miratojë, kjo është histori tjetër, do të ndërmarrim hapa. Puna është ta kalojmë në parim, nuk ka rëndësi kush e bën më mirë LSI, PD, apo PS, por ta shikojmë nen për nen për kushtet, ta diskutojmë dhe ta votojmë.