Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se të dielën fillon numërimin në QNR i votave me kusht në të gjitha komunat ku kanë mbetur pa u numëruar. Nesër gjithashtu do të rinumërohen edhe votat në Dragash dhe Rahovec, por pjesërisht. Ky riumërim fillon në orën 10:00. Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka.

Pos Komunës së Rahovecit dhe Dragashit që pjesërisht do të rinumërohen votat e balotazhit, nesër gjithashtu fillon numërimi i votave me kusht në të gjitha komunat që ishin në balotazh për kryetarë, në komunat e mbetura.

“Nesër në orën 10:00 do të fillojë rinumërimi i votave në Komunën e Dragashit disa kuti dhe në Komunën e Rahovecit në disa vendvotime. Pas kësaj, fillon numërimi i votave me kusht në të gjitha komunat që kanë mbetur pa u numëruar”, ka thënë Daka për Express.

Zëdhënësi i KQZ’së Valmir Elezi ka thënë se rinumërimi i 35 vendvotimeve nga zgjedhjet për kryetar të Dragashit, do të ndodhë nesër dhe gjithashtu atë të Rahovecit në 3 vendvotime.

“Nesër në orën 10 do të fillojë në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve rinumërimi i 35 vendvotimeve nga zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Dragashit dhe 3 vendvotimeve nga zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Rahovecit dhe më pas edhe numërimi i votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre me postë nga këto dy komuna”, ka thënë Elezi për Express.

Pas përmbylljes së këtyre dy komunave, KQZ ka konfirmuar se fillojnë me numërimin e votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës nga zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Prishtinës dhe pastaj edhe të atyre për Komunën e Prizrenit.

Në më pak se gjysmë ore, Gjykata Supreme ka vendosur në favor që Prishtina dhe Prizreni të mos shkojnë në rinumërim të votave, ashtu siç ka kërkuar PZAP’ja.