Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar përmes zëdhënëses në lidhje me pretendimet e socialistëve për fallsifikimin e vendimit për kryebashkiakun e Mallakastrës, Agron kapllanaj. Përmes një deklarate, KQZ sqaron se një vendim që nuk ekziston nuk mund të fallsifikohet.

“Dje media e interesuar shqiptare zbuloi të vërtetën rreth akuzes publike të përhapur nga zyra e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për gjoja “fshehjen” e praktikës Kapllanaj nga ana e Kryetarit të KQZ-së, duke bërë një verifikim të thjeshte në zyren e protokollit të KQZ-së. Verifikimi me protokollin e Administratës sonë provoi se praktika në fjalë është përcjellë nga kryetari për veprim në kohë rekord. Akuza për “fshehje” u provua dje se ishte furtunë në gotë.  Sot në “gotën” e KQZ-së shpërtheu “furtuna” e radhës, akuza për fallsifikim të vendimit të KQZ-se për çështjen Kapllanaj, përsëri nga ana e Kryetarit.

Këtë prononcim publik, e bëj për të sqaruar dy fakte të thjeshta juridike:

1. Kryetari i KQZ-se nuk ka detyrë, nuk kryen, nuk merr pjesë dhe nuk drejton zbardhjen e akteve të KQZ-së. Zbardhja e akteve është detyrë e administratës, është proçes tërësisht teknik dhe reflekton besnikërisht debatin dhe qëndrimet e shprehura dhe të dokumentuara në mbledhjen e KQZ-së;

2. Deri në momentin e kësaj deklarate nuk ka ende vendim të zbardhur për çështjen në fjale.  Akti që nuk ekziston nuk fallsifikohet dot. Edhe kjo është një e vërtetë e thjeshtë për tu kuptuar.

3. Lidhur me draft vendimin ka debat midis anëtarëve përsa i përket përmbajtjes, sepse anetarët nismëtarë kërkojnë që vendimi të reflektojë vetëm arsyetimin e tyre dhe votën kundër të shumicës, kurse një pjesë e anëtarëve që kanë votuar kundër kërkojnë që vendimi të reflektojë arsyetimin e shumicës. Ky është debat i brendshem banal, i cili sa herë ndodh zgjidhet me qetësi dhe në frymë bashkëpunimi.

Per fat të keq, qetësia dhe fryma e bashkëpunimit kane marrë arratine që ditën që KQZ-në e hodhën në syrin e ciklonit politik”, thuhet në reagim.