Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit nuk votuan për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit, por premtuan se do të jenë opozitë e fortë, e cila do t’i përkrahë të gjitha projektet të cilat do të jenë në të mirën e të gjithë qytetarëve

Elena Boshkovska – Kërstevska

Është konstituar edhe Këshilli i ri i Qytetit të Shkupit. Gjithsej 45 këshilltarë, 21 prej të cilëve nga LSDM-ja, 17 nga VMRO-DPMNE-ja, 3 nga BDI-ja, 2 nga BESA, 1 nga Aleanca për shqiptarët dhe 1 nga E Majta, do të luftojnë për zbatimin e interesave të qytetarëve. Për kryetar të Këshillit me 26 vota “pro” u zgjodh Lubica Jançeva. Ajo para të pranishmëve, premtoi punë transparente dhe realizim të projekteve të premtuara gjatë zgjedhjeve.

“Premtoj konstruktivitet në punën e Këshillit, bashkëpunim, transparencë, kurse nga opozita kërkojmë të jetë korrigjuesi ynë, ndërsa ne, si shumicë në Këshillit e Qytetit të Shkupit, maksimalisht do të përpiqemi të jemi në shërbim të qytetarëve, të përkrahur nga administrata e qytetit dhe t’u përgjigjemi të gjitha kërkesave të qytetarëve dhe të gjitha projekteve të cilat i kemi premtuar para zgjedhjeve dhe të njëjtat do t’i realizojmë. Së shpejti do të jemi dëshmitarë të asaj që kemi premtuar si projekte. Rezultatet do t’i ndjeni”, tha Lubica Jançeva, kryetare e Këshillit të Qytetit të Shkupit.

Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit nuk votuan për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit, por premtuan se do të jenë opozitë e fortë, e cila do t’i përkrahë të gjitha projektet të cilat do të jenë në të mirën e të gjithë qytetarëve.

“Grupi i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së dhe të Koalicionit ‘Për Maqedoninë më të mirë’ nga kryetari i ri, Petre Shilegov, presin dhe kërkojnë të përfundojnë të gjitha projektet që i ka filluar kryetari i mëparshëm Koce Trajanovski e të cilat janë me rëndësi thelbësore për qytetarët e Qytetit të Shkupit, si dhe realizim të të gjitha atyre projekteve që i ka premtuar në periudhën parazgjedhore”, thotë Irena Misheva, këshilltare në Qytetin e Shkupit nga radhët e VMRO-DPMNE-së.  

Për këshilltarin Enver Maliqi nga radhët e BDI-së, i cili vjen nga sfera e biznesit, është nder të jesh pjesë e Këshillit të ri, i cili sipas tij, “do të angazhohet për një Shkup më të bukur”.

“E imagjinoj Shkupin shumë më ndryshe sesa tani. Duhet të krijojmë kushte më të mira për qytetarët tanë, me qëllim që të kemi një Shkup të shkëlqyeshëm, me të cilin do të krenohemi kudo që të shkojmë në Evropë. Unë Shkupin e imagjinoj më ndryshe dhe prandaj do të kontribuoj që me përvojën time ta ndryshoj dukjen aktuale të qytetit, Shkupi të jetë një qytet i pastër dhe i gjelbër”,  thotë Enver Maliqi, këshilltar i BDI-së në Qytetin e Shkupit.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilgov, në seancën konstitutive theksoi se do të jetë i hapur për bashkëpunim, se pret që Këshilli të jetë aktiv dhe të punojnë së bashku dhe t’i mbrojnë interesat e qytetarëve të Shkupit.

Në seancën e parë konstitutive u zgjodh edhe Komisioni i Qytetit të Shkupit për verifikim, për çështje të mandatit, parashtresat dhe ankesat, ndërsa e njëjta u kryesua nga këshilltari më i moshuar, Mihajllo Manevski.