Rritja e çmimit të parkingjeve dhe restriksione në prakim në rajonin qendror të qytetit, pastrim më i madh dhe mirëmbajtje e higjienës, rritje e gjelbërimit, gazifikim, vendosje e automateve për pastrim të ajrit në shkolla dhe kopshte. Këto janë disa nga masat e Komunës Qendër për uljen e ndotjes së ajrit.

Kryetari i Komunës, Sasha Bogdanoviq sot informoi se në rrjedhë janë bisedimet me Ballkan Enerxhi Grup për sa më shumë amvisëri që ngrohen me dru të kyçen në ngrohjen qendrore. Paralajmëroi se për javën e ardhshme është paraparë që Këshilli të sjellë vendim në mënyrë që të ndalohet ndërtimi kur ajri është tepër i ndotur, për çka më pas do t’u nevojitet pajtueshmëri nga autoritetet e qytetit.

“Në vitin 2018 propozojmë regjime të reja të komunikacionit me qëllim që të rriten kapacitetet për parkim dhe të kufizohet bartja e mallrave”, tha Bogdanoviq.

Paralajmëroi se Komuna Qendër nuk do të shpenzojë para për festim të Vitit të Ri. Me ndihmën e sponsorëve, banorët e Qendrës dhe të gjithë qytetarët do të mund ta presin vitin 2018 në sheshin “Jadran” me këngëtarë nga Maqedonia, pa skenë klasike. Rreth gjashtë milionë denarë, të parapara për festë të Vitit të Ri, do të ridedikohen për rritjen e higjienës dhe ndihmës sociale.

Kryetari i Komunës Bogdanoviq informon se buxheti për vitin 2018 do të sillet në dy faza. Në fazën e parë do të jetë si propozim-buxhet deri më pesë dhjetor, ndërkaq deri më 20 dhjetor do të miratohet buxheti përfundimtar.

Për vitin e ardhshëm janë paraparë rikonstruktime të të gjitha kopshteve dhe shkollave fillore, fasadave efikase energjitike, ndryshim i dhjetëra fasadave që janë të shkatërruara.