Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që të bëhet zbardhja e plotë e rastit, pas dënimit të Grupit të Kumanovës nga një gjykatë në Shkup, në mesin e së cilëve kishte edhe 19 kosovarë, ndërkohë që nuk e ka përjashtuar një hetim ndërkombëtar për zbardhjen e të vërtetës.

Ai gjatë një konference të përbashkët për media me ministrin e Financave, Bedri Hamza tha se është ftuar për sqarim edhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë, në Kosovë.

Haradinaj ka thënë se për ngjarjet e fundit, të gjykimit të shqiptarëve që ka ndodhur në Shkup, janë qytetarë të Kosovës, dhe duhet trajtuar nga koha e ngjarjes tragjike, ku janë vrarë qytetarë të Kosovës e deri tek vendimi  djeshëm.

“Ne  e kemi përcjellë me shqetësim zhvillimet rreth kësaj ngjarje “Kosova”, që nga koha e ngjarjes tragjike në Kumanovë, ku janë vrarë qytetarë të Kosovës. Kemi ndërmarrë disa veprime, dje dhe sot, kemi ftuar për konsulta ambasadorin tonë në Shkup përmes Ministrisë së Jashtme dhe kjo ministri po ashtu e ka ftuar për bisedë ambasadorin e Maqedonisë këtu. Ajo që mund ta them me kujdesin më të madh për marrëdhëniet që kemi me Maqedoninë. Ka plot argumente që vërtet e bëjnë të nevojshme kalimin e këtij procesi gjyqësor në duart e ndërkombëtarëve, të prokurorëve, gjyqtarëve, sepse duhet me u analizuar krejt rrethanat misterioze edhe të ngjarjes së atëhershme dhe të gjitha aspektet tjera nacionale e ndërkombëtare ndoshta të asaj ngjarjes tragjike deri te një  e vërtetë, deri te drejtësia, sepse askush nuk është kundër drejtësisë dhe të vërtetën e synojmë, pro mendojmë se dalja nga një gjendje e k rijuar dje, është pikërisht me ia besuar drejtësisë ndërkombëtare”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Kryeministri nuk e di saktë se si duhet iniciuar kjo çështje tek instancat e ndërkombëtare, por ka marrë shembullin e Gjykatës Speciale për Kosovën nga faktori ndërkombëtar, në mënyrë që të hiqen të gjitha paqartësitë ose dilemat rreth të vërtetës për rastin “Kumanova”.

“Tani ata janë shtetas të Kosovës, shumica prej tyre, pa marrë parasysh veprën dhe çka do tjetër që ju ngarkohet atyre, mbesin shtetas të Kosovës. Ne e kemi për obligim interesimin për fatin e shtetasve të Kosovës, por në këtë rast interesimi ynë është me u gjetur e vërteta, sepse nuk e kemi një qartësi se si mund të iniciohet kjo, a mund të jetë bashkësia ndërkombëtare që e propozon. Sepse në rastin tonë neve na kanë propozuar bashkësia ndërkombëtare një Gjykatë Speciale, dhe për rastin e djeshëm është mirë me ndërhyrë bashkësia ndërkombëtare për të ofruar një proces gjyqësor që nga nisja e ngjarjeve dhe dimensionet e atëhershme, të asaj ngjarje, deri te dita e sotme, në mënyrë që të hiqen të gjitha paqartësitë ose dilemat rreth të vërtetës dhe të vendoste drejtësia”, theksoi ai.

Shtatë pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës iu shqiptua burg i përjetshëm, të tjerëve gjithsej 746 vjet burg, ndërkohë që vetëm katër prej tyre u liruan nga aktakuza. Prej tyre 19 janë shtetas të Republikës së Kosovës, një është shtetas i Republikës së Shqipërisë, një është shtetas gjerman dhe të tjerët janë shqiptarë nga Maqedonia.