Më në fund Kina ka vendosur të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet tregtare me Korenë e Veriut, deri sa Peniani të heqë dorë nga programi bërthamor. Lajmi është bërë publik nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, i cili deklaroi se Ura 80 vjeçare e Tregtisë dhe Miqësisë mes Kinës dhe Koresë së Veriut do të mbyllet në fillim të muajit dhjetor.
Pekini është një nga aleatët e vetëm kryesorë tregtarë të Penianit. Masat vijnë ndërkohë që tensionet bërthamore në rajon po përshkallëzohen gjithnjë e më shumë.
Kina do të ndërpresë përfundimisht lidhjen tregtare me Korenë e Veriut. Pekini ka vendosur që ura tregtare e miqësisë mes dy vendeve të mbyllet në fillim të muajit dhjetor, ndërkohë që tensionet për programin bërthamor të Penianit, vazhdojnë të dominojnë në rajon. Deklarata për ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare erdhi nga Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze, Geng Shuang.
Ura 80-vjeçare është rruga kryesore tregtare e Kinës me Korenë e Veriut dhe furnizon vendin komunist të Kim Jong UN me deri 80 për qind të mallrave të saj. Marrëdhëniet mes Pekinit dhe shtetit koreano-verior janë tensionuar së fundmi, për shkak të sanksioneve të Kinës ndaj programeve bërthamore dhe raketore të Penianit. Mbyllja e tregtisë mendohet të jetë një masë e mundshme që Pekini po ndërmerr, si presion ndaj Penianit, më qëllim që ky i fundit të ndalë testet bërthamore.
Mesa duket Kina u nxit nga Presidenti i ShBA, Donald Trump në turin e tij aziatik pasi së fundmi Pekini ka rritur presionet ekonomike ndaj regjimit të Kim Jong UN. Shteti kinez është aleati i vetëm më i rëndësishëm i Koresë së Veriut, por tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar ndjeshëm pas testimit të raketave bërthamore. Disa ditë më parë, kompania e fluturimeve, Air China suspendoi fluturimet nga Pekini drejt Penianit. Ndërsa muajin e kaluar, lideri koreanoverior, Kim Jong Un urdhëroi të gjithë qytetarët që punonin në Kinë, që të ktheheshin në shtëpitë e tyre mes frikës nga lufta bërthamore.