Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski refuzon të përgjigjet nëse do të shkarkohen gjykatësit për të cilët do të ketë dëshmi se kanë ndarë lëndë në dorë dhe kanë abuzuar me sistemin elektronik për shpërndarjen e lëndëve. Karaxhovski shkurt shpjegoi se nuk dëshiron të përgjigjet në pyetje hipotetike dhe do ta presë raportin e Komisionit pranë Ministrisë së Drejtësisë. Më tej ata do ta analizojnë tekstin dhe abuzimet eventuale pas kontrollit të sistemit AKMIS në Penale, në Apel dhe në Supreme, e më pas do të vendosin nëse janë kompetent që të veprojnë.

Pyetjen e keni përplot hipoteza dhe supozime, do të thotë çfarë nëse?! Do të thotë nuk kam se si të përgjigjem në këtë pyetje. Nëse e dorëzojnë raportin siç thonë, sipas kompetencave tona ligjore, do të shohim çfarë kanë shkruar dhe çfarë mund të ndërmarrin në këtë drejtim- tha Zoran Karaxhovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor.

Këshilli Gjyqësor në seancën e sotme emëroi kryetar të disa gjykatave ndërsa disa tjerë i gradoi në shkallë më të larta. Kryetari i ri i Gjykatës së Tetovës është Hasan Asani, i cili sipas pikëve ishte i katërti nga gjithsej 6 kandidatët në listë. Kryetari i ri i Apelit në Shtip është Nake Georgiev ndërsa kryetar i Gjykatës Themelore në Kumanovë është zgjedhur gjykatësja Snezhana Manev. Këshilli gjyqësor nuk arriti të zgjedhë gjykatës maqedonas në Gjykatën Supreme pasi nuk e kishte shumicën e nevojshme të votave nga anëtarët e komuniteteve tjera. Por, megjithatë kishte pajtueshmëri që gjykatësi i Apelit, Afrim Fidani të gradohet dhe ai tash është anëtari më i ri i Supremes. Interes më të madh kishte për gjykatës në gjykatën e Apelit. Këshilli emëroi dy gjykatës të së drejtës penale dhe dy të së drejtës civile. Në sektor penal gjykatës i ri është Tanja Mileva, ndërsa Këshilli nuk dha dritë jeshile për asnjërin nga gjykatësit nga komunitetet pakicë. Pikërisht për pozitë në apel për të punuar në lëndë penale, më shumë paraqitje kishte nga Gjykata Themelore Shkup. Për këtë post konkuruan gjykatës të cilët në periudhën e kaluar ranë në sytë e opinionit përmes lëndëve të Prokurorisë Speciale. Ish kryetari i penales, Vladimir Pançevski, ish u.d. kryetarja Tatjana Mihajlova, gjykatësja në lëndën “Lagja e Trimave” Verka Petkovska, Aleksandra Popstefanija për të cilën Specialja kërkon shkarkim, si dhe gjykatësja që mundësoi që Specialja të futet në DSK, Vesna Dimishkova. Edhe pse me nota më të larta, gjykatësi Lazar Nanev, i cili është edhe kryetar i Komisionit për verifikimin e sistemit AKMIS, nuk morri mbështetje që të bëhet gjykatës në Apel. Por, krahas emërimeve për gjykatës, para Këshillit Gjyqësor gjenden 6 parashtresa për shkarkimin e gjykatësve. Seanca ishte e mbyllur për opinionin./alsat-m