Julian Deda është një nga të larguarit e hershëm të “Portokalli”, por kjo nuk është e gjitha. Përfshirë së fundmi në debatin se cila ka qenë arsyeja e vërtetë e largimeve të njëpasnjëshme nga spektakli, Deda nuk i ka kursyer akuzat për Altin Bashën. Së fundmi, i ftuar në “Mos i fol shoferit”, aktori i humorit ka bërë një tjetër deklaratë.

Pyetja e Rudinës ka qenë se nëse do t’i duhej të shpëtonte në një ishull, Gentian Zenelaj apo Altin Bashën, cilin prej tyre do të zgjidhte? Përgjigja e Julig ka qenë e pritshme, duke përmendur emrin e Gentit, ndërsa arsyeja pse ka parapëlqyer një alternativë të tillë na sjell diçka ndryshe. “Do merrja Gentin sepse Altini mund t’ja dalë dhe vetë aty ku është. Tani është mbret atje, kurse Genti ka patur gjithmonë nevojë për ndihmë”, është shprehur Deda.

Duke ironizuar edhe një herë vetminë e supozuar të regjisorit në spektaklin e së dielës mbrëma, Juli ka treguar dhe një herë mospëlqyeshmërinë mes tij dhe Bashës. Ndërsa, për të njejtën pyetje, por duke vënë përballë Erion Velinë dhe Saimir Tahirin, Deda ka thënë se do të shpëtonte këtë të fundit.