Autori i dyshuar për sulmin e ndodhur në një nga zonat më të njohura të Nju Jorkut, në Manhattan është një 29-vjeçar. Për të ndaluar atë që policia e quan si akt terrorist, u desh që ta qëllonin me armë në këmbë dhe më pas u arrestua.

Agresori quhet Sayfullo Habibullaevic Saipovm dhe është me origjinë nga Uzbekistani. Ka 7 vjet që jeton në SHBA që prej vitit 2010-të dhe ekzaktësisht në Tampa, në Florida, siç raporton Nbc.

Ai hyri në mes turmës së njerëzve, me një kamionçinë duke vrarë tetë persona e plagosur rëndë 15 të tjerë, ndërsa dëshmitarët në vendngjarje e dëgjuan të thërriste “Allahu Akbar”.

Ja si ndodhi ngjarja:

Masakra ndodhi sot në orën 15:00 me atë lokale mes rrugëve Hudson e Chambers, në afërsi të Qendrës Botërore të Tregtisë. Agresori përdori një kamionçinë me ngjyrë të bardhë për të marrë përpara çiklistë e këmbësorë, e në fund u përplas me një autobus shkolle, ku la të plagosur dy nxënës dhe dy të rritur. Më pas ka zbritur nga kamionçina, në duar mbante dy armë, një pistoletë të rreme dhe një tjetër të vërtetë dhe ka nisur të qëllojë me armë. Fatmirësisht agjentët e policisë e kanë neutralizuar në kohë duke e plagosur në këmbë. Në këto momente raportohet se po i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet përkatëse e konfirmojnë: Është sulm terrorist

Konfirmimi që bëhet fjalë për një sulm terrorist erdhi nga kryebashkiaku Bill de Blasio, i cili foli për një akt “të turpshëm që kishte si shënjestër njerëz të pafajshëm”. Në një konferencë për shtyp ai bëri thirrje për vigjilencë maksimale, duke kujtuar edhe festën e Halloween, që festohet në mbarë Amerikën e që u përgjak sot në Nju Jork.

Reagimi i presidentit amerikan Donald Trump:

Në lidhje me aktin e rëndë është informuar edhe Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. Në një reagim në “Twitter” ai thotë se: “Ajo që ndodhi në New York City është një tjetër veprim i një njeriu të sëmurë. Forcat e policisë po e ndjekin rastin nga afër”. Ndërsa në një moment të dytë ka deklaruar: “Nuk mund të lejojmë që ISIS të hyjë në vendin tonë pasi e kemi mundur në Lindjen e Mesme! Mjaft”.