Hera e fundit kur përfaqësuesja italiane e futbollit nuk ka marrë pjesë në fazën finale të një Kampionati Botëror është regjistruar në Suedi 1958, ndërsa rasti i fundit kur “të kaltrit” kanë dështuar për të qenë pjesë e fazës finale të një Kampionati Europian është sërish në Suedi, më 1992-shin.

Në të dy rastet pra mungesa e Italisë përkon me aktivitete tepër të rëndësishme, të organizuara nga vendi skandinav, megjithatë si për ironi të fatit, 4 herë kampionët e rruzullit do t’i luajnë shanset e tyre për Botërorin e ardhshëm ‘Rusi 2018’, pikërisht ndaj “verdhebluve”.

Më datë 17 tetor, në selinë e FIFA-s, në Zyrih, shorti e vendosi ekipin e Venturës përballë përfaqësueses që i druheshin më shumë, Suedisë.

Takimi do të luhet në Stadiumin ‘Friends Arena’, në veri të Stockholm-it dhe trajneri Janne Andersson pritet të luajë me skemën 4-4-2, me dyshen Emil Forsberg-Sebastian Larsson nga krahët, ndërsa përpara do të luajnë Marcus Berg dhe Ola Toivonen.

Suedia përbën një kërcënim serioz për vetë mënyrën tradicionale, teksa vazhdon të mbështetet te zbritjet e shpejta dhe përgatitja e lartë fizike, pa lënë aspak mënjanë goditjet standarde dhe lojën në ajër, ku Italia ka shfaqur vërtetë probleme.

Në krahun tjetër Gian Piero Ventura me shumë gjasa nuk do të ketë për shkak të një dëmtimi në gju, Simone Zaza-n, kështu që në sulm “të kaltrit” mund të paraqiten me dyshen Immobile-Belotti.

Italia shpreson shumë që të përfitojë në kundërsulm dhe nga ndonjë hapësirë e mundshme që mund të lënë vendasit, duke pasur parasysh edhe cilësitë që ka në qendër me lojtarë të tillë si Insigne, Verratti, Rossi dhe Candreva.

Ndeshja e parë pra do të zhvillohet në Solna, në orën 20:45 dhe do të arbitrohet nga gjyqtari turk Cuneyt Cakir, ndërsa takimi i kthimit do të luhet të hënën e ardhshme në Stadiumin ‘San Siro’.

Kujtojmë që Suedia e la jashtë Italinë edhe në grup në Europianin e vitit 2004, me atë barazim të famshëm 2-2 me Danimarkën.

Pra, Italia këtë herë ndaj Suedisë përveç kualifikimit në Botëror, do të tentojë të thyejë edhe tersin me kundërshtarin skandinav.