Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari sot realizoi takim me ish-kryetarët e komunës Rufi Osmani, Enver Zenku dhe Xhemail Rexhepi, si dhe ish-kryetarin e Këshillit komunal Refik Dauti, njofton Shërbimi për informim i Komunës.

“Kam kënaqësinë që sot të pres të gjithë ish kryetarët e, do të thoja, Gostivarit demokratik prej vitit 1992 e këndej, përveç njërit i cili nuk erdh as të bëjë pranim-dorëzimin e detyrës, si dhe ish kryetarin e Këshillit të Komunës z. Refik Dauti. Shpresoj që kjo të mbetet edhe si traditë në Gostivar, që kryetari aktual t’i pret si mysafirë ish kryetarët, e pse jo edhe si këshillues për mbarëvajtje të menaxhimit me komunën. Tash do të bisedojmë dhe pres prej tyre që të më japin edhe këshilla se si do të ishte mirë që të menaxhohet komuna”, deklaroi kryetari i komunës Arben Taravari.

Deklaratë për media kishte edhe ish-kryetari i komunës së Gostivarit prof.dr. Rufi Osmani, i cili udhëhoqi komunën në periudhën 1996-1998 dhe 2009-2013.

“Erdhëm së bashku që kryetarit aktual dr. Arben Taravari, t’ia urojmë fitoren e pastër demokratike dhe t’i japim mbështetje që këtë mandat ta ketë të suksesshëm dhe nëse ka nevojë t’i ofrojmë edhe asistencë profesionale dhe menaxheriale. Jam i bindur se me mbështetje edhe të qeverisë aktuale, e cila këtë ia ka borxh dr. Taravarit, ai ta nisë dhe përfundojë me sukses shërimin ekonomik social dhe institucional të Komunës së Gostivarit”, deklaroi Osmani duke shprehur bindjen se dr. Taravari, ashtu siç ishte ministri më i suksesshëm, do të jetë edhe kryetar më i suksesshëm dhe se do të realizojë më shumë sesa të gjithë kryetarët e deritashëm së bashku.

Ish kryetarët Osmani, Zenku dhe Rexhepi i dhuruan kryetarit Taravari një pikturë artistike, vepër e piktorit të mirënjohur nga Gostivari, Ylber Zylfiqari.