Terroristi i ISIS’it për të cilin thuhet se qëndron prapa sulmit vdekjeprurës mbi aeroportin e Stambollit në qershor të vitit 2016, mund të jetë vrarë në një operacion antiterrorist në Gjeorgji, raporton Anadolu Agency (AA).

Kreu i shërbimit shtetëror të sigurisë në Gjeorgji, Vakhtang Gomelauri, tha se Ahmet Catayev, një pjesëtar i ISIS’it me origjinë çeçene, mund të jetë njëri nga tre terroristët e vrarë gjatë operacionit antiterrorist në Tbilisi më 22 nëntor.

Gomelauri të dielën mori pjesë në ceremoninë e varrimit të një pjesëtari të forcave speciale i cili humbi jetën në operacionin e lartpërmendur. Sipas tij, nëse Catayev, që është një terrorist i kërkuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është vërtetë në mesin e të vrarëve, do të përcaktohet pas identifikimit në të cilin do të përfshihen edhe ekspertë amerikanë.

Më 28 qershor të vitit 2016, aeroporti ndërkombëtar i Stambollit u trondit nga një sulm vetëvrasës në të cilin u përfshinë tre shtetas të huaj, të cilët fillimisht qëlluan me armë zjarri dhe më pastaj hodhën veten në ajër. Në sulmin në fjalë mbetën të vrarë 45 persona, dhe mbi 200 të tjerë të plagosur.