Një grua nga Filadelfia ka arritur të mbledh 110 mijë dollarë, për të pastrehun i cili e kishte ndihmuar kur vetura e la në mes të rrugës.

Kate McClure kishte mbetur pa benzinë derisa po lëvizte me veturë rrugës për në Filadelfia, transmeton Telegrafi.

Kjo ngjarje i kishte ndodhur rreth orës 12 pas mesnatës, dhe nuk dinte çfarë të bëj dhe kujt t’i telefonoj për ndihmë, madje nuk kishte as para.

Por, papritmas u shfaq i pastrehu John Bobit, dhe kur pa se ajo kishte probleme i kërkoi ta mbyllë veturën dhe të mos dal jashtë në asnjë mënyrë. Ai shkoi në pompën e derivateve e cila ishte disa kilometra larg vendit ku ajo ishte ndalur me veturë, dhe me 20 dollarët e fundit që i kishte në xhep i bleu një benzinë.

Dhe pasi që nuk kishte para për t’ia kthyer, ajo u kthye pas disa ditëve që ta kërkoj këtë burrë për t’i dhuruar rroba, ushqim dhe para.

Pas disa takimeve filloi të mbledh para për Bobitin, me të vetmin qëllim që ta largoj nga rruga. Fatmirësisht njerëzit e vullnetit të mirë filluan t’i japin para, dhe qëllimi i tyre ishte të mbledhin 10 mijë dollarë. Megjithatë, ata mblodhën shumë më shumë, rreth 110 mijë dollarë.

“Kam qenë naive duke menduar se vetura do të lëviz ende edhe, pse drita e kuqe (e rezervës) më ishte ndezur shumë kohë më parë. Kurrë më parë diçka e ngjashme nuk më kishte ndodhur. Aty e takova Johnin, që çdo ditë qëndron i ulur në vendin e njëjtë. Dhe është interesant se si as edhe një kacidhe nuk më ka kërkuar, por unë i dhurova një pallto, dorëza, kapelë, çorape, por nuk u kënaqa me kaq pasi dëshiroja të bëja diçka më shumë. Ju lutem që t’i ndihmojnë këtij burri pasi që ditët e ftohta po afrohen. Mendoj se ai vërtet e meriton këtë”, kishte shkruar Kate.

Dhe pasi që banorët e asaj zone dëgjuan për të, janë lajmëruar disa miq dhe ish-kolegë të tij nga departamenti i ndihmës së shpejtë të cilët thanë se kishin menduar se ai “ishte zhdukur” tash e 18 muaj, por e kujtojnë si një njeri me zemër të mirë që askujt nuk i ka bërë keq.