Kryeministri Rama dhe kryedemokrati Basha kanë shkëmbyer batuta dhe kundërbatuta në Kuvend, ndërsa të paktën tre herë gjatë replikave Rama i ka kërkuar kryedemokratit Lulzim Basha të japë përgjigje se pse PD-ja zbriti në Himarë dhe foli me të njejtën gjuhë si opozita greke për një projekt që sipas tij, është tërësisht i ligjshëm, prishja e ndërtimeve në kuadër të rikualifikimit urban.

Kryeministri pranoi se me fqinjët marrëdhëniet janë të vështira dhe se për një çështje si kjo e Himarës, opozita shqiptare po mban të njejtën linjë si opozita greke.

“Je njeriu që ke firmosur dorëzimin e një cope territori të Repubilkës së Shqipërisë dhe arsyeja pse kemi sot një dialog të vështirë me fqinjët tanë. Keni shkelur Kushtetutën dhe keni firmosur një marrëveshje që cënon interest kombëtare. Në Himarë ka një projekt, është tërësisht i rregullt, po të pyes sërish, pse u shfaq dje PD-ja në Himarë dhe mbajti qëndrime të njejta si opozita greke”,- u shpreh Rama.

Ndërsa më herët kryeministri u shpreh: “Lulëzim hajde këtu, jepi përgjigje shqiptarëve sot nga veriu në jug, çfarë donte PD në Himarë? Pse e bashkove dje zërin e PD me zërin e atyre që nxjerrin bishta pa asnjë bazë lidhur me një projekt të rilindjes urbane në Himarë, jep llogari? Çfarë është Himara për ty?

Sipas Ramës, Partia Demokratike e Shqipërisë duhet t’ju shpjegojë shqiptarëve pse u shfaq në Himarë të nesërmen e letrës së kryetarit të opozitës greke drejtuar Komisionit Europian ku cenohet interesi ynë kombëtar dhe aspirata jonë kombëtarë për të ecur përpara me procesin e integrimit me pretendime që nuk qëndrojnë të cilave PD dje u ka dhënë zë edhe shumë herë më të fortë sesa vetë zëri i opozitës greke.

“Nuk them qe jeni antikombëtarë, por ju nuk mbani përgjegjësi. PD duhet tu shpjegojë shqiptarëve çfarë shkeljesh ka bërë qeveria në Himarë. Pse u shfaq PD në Himarë të nesërmen e letrës së opozitës drejtuar BE? PD i dha zë Himarës, edhe më shumë se vetë grekët. PD i detyrohet shqiptarëve përgjigje, pse ju bashkua një kori të ngritur mbi të pa të vërteta. Tregojuni shqiptarëve, çfarë është Himara për PD-në?”, pyeti Rama disa herë Bashën.

Kryedemokrati replikoi disa herë me të, por, asnjëherë nuk iu përgjigj për Himarën.