Dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, pritet që të zhvillojnë takimin e tyre të përbashkët, përgjatë festës së 28 Nëntorit. Takimi do të fillojë në Korçë, e më pas, nesër do të vazhdojë në Vlorë.

Në këtë takim, dy qeveritë do të nënshkruajnë disa marrëveshje bashkëpunimi, që kanë të bëjnë me ekonomi, kulturë, bujqësi e fusha të tjera.

Në Vlorë, të martën më datë 28 Nëntor do të nënshkruhen 12 marrëveshje bashkëpunimi. Ministrat e kabinetit Rama dhe Haradinaj do të firmosin një memorandum bashkëpunimi mes ministrive të mjedisit për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, një tjetër memorandum për bashkëpunimin në fushën e kulturës, marrëveshje dhe memorandume për bashkëpunimin për diasporën dhe një protokoll teknik mes dy ministrive të Bujqësisë për njohjen bilaterale të certifikatave veterinare për produktet shtazore mes dy vendeve.

Gjithashtu, do të nënshkruhen një memorandum mirëkuptimi mes agjencisë AIDA dhe homologes kosovare KIESA, për nxitjen e investimeve, një memorandum mirëkuptimi në fushën e energjisë elektrike mes dy ministrive të energjetikës, marrëveshje për njohjen e kontributeve shoqërore dhe marrëveshje bashkëpunimi mes ministrive të Jashtme në kuadër të integrimit evropian.

Kjo është mbledhja e katërt e përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, ndërsa nesër në Vlorë, anëtarët e të dyjave qeverive do të marrin pjesë në manifestimin e 105-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.