Gjykata Themelore e Prizrenit ka konfirmuar se i ka caktuar një muaj paraburgim serbit D.T, i dyshuar për krime lufte në Krushë të Vogël.

“Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti për Krime të Renda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 (një) muaji ndaj të pandehurit me iniciale D.T i cili ka jetuar në Krushë të Vogël, adresa e fundit është në Podgoricë, e cila masë do të llogaritet prej datës së ndalimit 22.11.2017, nga ora 05:20 minuta, e gjerë me datën 22.12.2017”, thuhet në komunikatë.

Më tutje thuhet se, “për shkak dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së, të paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për Katër Konventat e Gjenevës nga neni 152 dhe veprën penale Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të Ligjeve dhe Zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar nga neni 153 par. , 2.5 dhe 2.12 të KPK-së, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit PPS.nr.149/09 të datës 23.11.2017, pas mbajtjes së seancës së dëgjimit në prezencën e prokurorit Special Paul Flynn, të pandehurit dhe mbrojtësit i caktohet masa e paraburgimit prej 1(një) muaji”.

Gjykata më tutje thotë se me datat 25 dhe 26 mars1999 në fshatin Krushë e Vogël, i pandehuri në cilësinë pjesëtarit rezervë të policisë apo njësive paramilitare, në bashkëveprim me të pandehurit e tjerë të cilët kanë qenë pjesëtarë të MPB-së, ka marrë pjesë në konfiskimin e pasurisë, plaçkitjes, shkatërrimit të paligjshëm – djegies rreth 137 shtëpive, marrjen e shumë automjeteve, makinave bujqësore si dhe duke detyruar largimin e grave dhe fëmijëve nga fshati Krushë e Vogël për në Shqipëri, me çka janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 187 par.1 nën par.1.1 të KPPK për caktimin e paraburgimit, kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

“Kundër këtij aktvendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 24 orëve, Gjykatës së Apelit. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi”, thuhet në komunikatë