Ministri pa resor në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë për Marrëdhëniet me Diasporën, Edmond Ademi, pas një muaji të konsultimeve, sot nënshkruajti vendimin për krijimin e grupit të punës për Strategjinë Kombëtare për bashkëpunim me Diasporën, i përbërë nga përfaqësues të ministrive që kanë kompetenca në fushat e rëndësishme për Diasporën dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, si dhe individët që punojnë mbi çështjet dhe temat e lidhura me Diasporën.

Ky është hapi i parë drejt asaj që qëndrojmë dhe kjo është një qasje institucionale për ndërtimin e besimit të ndërsjellë mes institucioneve dhe Diasporës, në të njëjtën kohë duke lejuar që të gjitha palët e përfshira në këtë fushë të marrin pjesë drejtpërdrejt në krijimin e politikave të ardhshme lidhur me Diasporën, kryesisht në fushën e të drejtave politike, proceset administrativo ligjore, klima ekonomiko-investuese, kultura, arsimi, shkenca dhe të rinjtë.

Procesi i hartimit të strategjisë do të përfshijë konsultime, debate publike dhe përfshirje të plotë të të gjitha palëve të interesuara, qëllimi i cili është për të marrë një dokument me zgjidhje të qarta dhe të sakta për çështjet që janë në interes për shtetin dhe Diasporën. Ne ftojmë dhe inkurajojmë të gjithë palët e interesuar që kanë sugjerime për përmbajtjen e Strategjisë Kombëtare për bashkëpunim me Diasporën, për të ndjekur procesin dhe për t’u kyqur me mendimet dhe qëndrimet e tyre.

Zhvillimi i kësaj Strategjie Kombëtare për bashkëpunim me Diasporën, nëpërmjet implementimit të më shumë masave, pozitivisht do të ndikojë në identifikimin dhe vendosjen e relacioneve si dhe përkrahjen për bashkëpunim në fushat e caktuara, që njëkohësisht janë katër shtyllat kryesore në të cilat themelohet Strategjia Kombëtare për bashkëpunim me Diasporën, që nënkupton se duhet ndërtuar edhe ura të besimit dhe partneritetit mes institucioneve dhe mërgimtarëve, të cilat do të jenë në dobi edhe për shtetin, edhe për Diasporën.

Organizata Ndërkombëtare e Migracionit, IOM (International Organization for Migration), do të përfshihet aktivisht me rolin këshilldhënës për përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për Bashkëpunim me Diasporën, përmes ekspertit të saj për çështje të migracionit, Prof. Dr. Verica Janeska, nga Universiteti “Shën Kirilit dhe Metodij” – Instituti i Ekonomisë – Shkup.