Mundësia e marrjes së kornizës negociuese nga Komisioni Evropjan është i mundshëm në pjesën e dytë të vitit 2018.

Kjo pasi që qeveria është vënë në përpjekje maksimale të realizimit të planit të reformave 3 -6 -9 që njëkohësisht hap edhe perspektivën evropiane.

Kështu vlerëson profesori universitar Ylber Sela.

“Viti 2018 do të jetë një vit i shpresë për qytetarët e Maqedonisë. Qeveria aktuale e ka marrë seriozisht dhe ka një konsensus edhe te pala maqedonase që të shkohet në drejtim të zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë, dhe normalisht që me përmbushjen e reformave siç është plani 3 – 6 -9, dhe besoj se kjo do fus në agjendë Maqedoninë kundrejt politikave të zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor . Besoj që në vitin 2018 Maqedonia mund të ftohet të bëhet anëtare e NATO-s në vere dhe besoj që poashtu mund të hap negociatat me BE-në”, theksoi profesori universitar Ylber Sela.

Autoritetet qeveritare ditë më parë deklaruan se Maqedonia në muajin shkurt 2018 do të merr një raport të jashtëzakonshëm para atij të rregullt, i cili do të përfshijë rezultat e reformave dhe nivelin e gatishmërinë së shtetit për t’u ftuar në bisedime për integrim.

Ata thonë se pritet raport progresi të jetë më pozitivi deri më tani, ndërsa do të ndikojë edhe përmirësimi i politikës me fqinjët që tashmë dukshëm është përmirësuar.

Në raport me emrin, sipas zyrtarëve, qëndrimet janë më të përafërta, ndërsa edhe Marrëveshja me Bullgarinë ka dhënë frytin e vet, aq më tepër kur Bullgaria pritet ta merr presidencën me BE-në, prej ku qeveria e Maqedonisë beson se do të ketë rol dominues në kthimin e agjendës së Maqedonisë në politikat e zgjerimit të BE-së.