Ashtu si Rrahmani e shumë lojtarë të tjerë të Kosovës, edhe Bernard Berisha pret fitore të hënën mbrëma në “Adem Jashari”.

Pas rezultateve negative në kualifikueset e Botërorit, Kombëtarja e Kosovës në futboll do të kërkojë të fitojë pikë të vyera në renditjen e FIFA-s.

Përballë këtë radhë është Letonia, në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, një 90-minutësh të cilin lojtarët kërkojnë ta mbyllin me sukses.

Ish-mesfushori i Skënderbeut, Bernard Berisha, shpreson që Kosova të arrijë fitoren e parë.

“E kemi vlerësuar shumë këtë ndeshje, për shkak se për herë të parë luajmë si vendas në vendin tonë. Ka qenë një ëndërr dhe sot është bërë realitet”, tha Berisha për Super Sport.

“Do mundohemi të japim më të mirën dhe shpresoj shumë që do të arrijmë fitoren e parë”.

“Duke parë angazhimin e të gjithë lojtarëve dhe trajnerit, them se jemi shumë të motivuar për këtë ndeshje. Do të bëjmë gjithçka që të arrijmë fitoren”, shprehet Bernard Berisha, futbollist i Kosovës.

Ndeshja mes Kosovës dhe Letonisë luhet mbrëmjen e së hënës, në orën 19:30, në Mitrovicë.