Bashkimi Demokratik për Integrim është në vijë të njëjtë me qëndrimet e kryeministrit Zoran Zaev. Kërkojnë debat publik për propozimin, që aeroporti i Shkupit ta mbajë emrin e kryetarit të parë të Maqedonisë së pavarur Kiro Gligorovit. Edhe pse nuk tregojnë hapur se për ta a është i pranueshëm propozimi i klubit diplomatik, megjithatë kërkojnë që për këtë propozim të prononcohet edhe opinioni publik. Artan Grubi për Tv21 thotë se në të kaluarën, emërtimet politike të disa institucioneve, kanë shkaktuar ngecje serioze të Maqedonisë në procesin eurointegrues.

Ky propozim i klubit diplomatik është në pajtim edhe me rrjedhat e reja politike të Maqedonisë dhe me përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët, sidomos me Greqinë. Iniciativa u pranua pozitivisht edhe nga kryeministri Zaev, i cili para disa ditëve, gjithashtu kërkoi që qëndrimin e tij për emrin e propozuar ta shpreh edhe opinioni publik.

“Ideja më pëlqeu menjëherë. Por unë jam vetëm një nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Për çështje të këtilla, dëshiroj t’i dëgjoj me kujdes qytetarët dhe të zhvillohet debat. Ne jemi në dispozicion për të qenë në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Zoran Zaev, kryeministër i RM.

Nga klubi diplomatik, propozimin e tyre e mbrojnë me disa teza. Për Tv21, thonë se emri i Kiro Gligorovit do të mbahet mend në historinë maqedonase si kryetari i parë pas pavarësisë por edhe si një diplomat dhe burrështetas i jashtëzakonshëm.

“Dëshirojmë të kemi një qasje më ndryshe sa i takon emërtimit të objekteve publike përmes debatit publik dhe respektimit të trashëgimisë sonë autentike. Ajo që dikur ka qenë histori, le të mbetet në histori, ndërsa ne t’i kthehemi të ardhmes”, tha Dimitar Bellçev, nga klubi diplomatik.

Pas ndryshimit të aeroportit të Shkupit, nga “Petrovec” në “Aleksandri i Madh”, Greqia reagoi ashpër. Ndryshe, pas ndërtimit të ndërtesës së re dhe marrjes nën koncesion, aeroporti i Shkupit çdo vit shënon rritje të udhëtarëve. Në vitin 2016, përmes aeroportit më të madh në vend, kanë kaluar 1 milion e 400 pasagjerë. 21 Maqedoni