Zv/ministrja e Financave Shiret Elezi ka theksuar se në propozim buxhetin për vitin 2018, janë paraparë shumë projekte të rëndësishme për qytetarët e vendit, por hapësirë dhe vëmendje të veçantë BDI kësaj here i ka kushtuar arsimit dhe kulturës shqiptare. Me këtë rast, thekson ajo për të gjitha Universitetet në vend janë ndarë mjete, edhe atë disa herë më shumë sesa në vitet e kaluara.

“Në projektimet buxhetore për vitin 2018 vend të rëndësishëm ka marrë çështja e arsimit dhe e kulturës shqipe, ku kemi ndarë mjete financiare për gjitha Universitetet, pastaj Teatro dhe Bibliotekat. Për Universitetin e Tetovës janë ndarë 330 milionë denarë, Universitetin ‘Nëna Terezë’ 288 milion denarë, Teatri dhe Biblioteka në Shkup 250 milionë denarë, Teatri dhe Biblioteka në Tetovë 250 milionë denarë, për Universitetet publiko private 42 milion denarë, për Ansamblin e këngëve dhe valleve shqipe 30 milionë denarë”, thekson në emisionin “Koha për Pyetje”, në Medial.mk, zv/ministrja e Financave, Shiret Elezi.

Sipas saj, mjete buxhetore janë ndarë edhe për rritjen e pagave në administratë, shkollat, armatë, etj.

“Buxheti është një segment shumë i rëndësishëm përmes së cilës pasqyrohen politikat ekonomike dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik të një shteti. Me këtë buxhet janë prek shumë sfera të ndryshme, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë prekin nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. Rritja e rrogës mesatare, rritje e rrogës në institucionet shtetërore atë të administratës dhe të çerdheve janë vetëm disa nga këto elemente të cilat tregojnë se ky buxhet është i drejtuar kryesisht në të mirë të qytetarëve të vendit”, shprehet Elezi.

Ky buxhet sipas saj është më i larti i projektuar në historinë e pavarësisë së Maqedonisë dhe kap shifrat prej 3,4 miliardë euro.