Familja e ish-presidentit të Barcelonës, Sandro Rosell, nuk ka para as për të ngrënë bukë. Lajmin e bujshëm e zbulon “RAC1”, radioja katalanase, e cila ka siguruar një prononcim të avokatit të ish-numrit 1 të klubit blaugrana, i cili prej 6 muajsh ndodhet në qelinë e burgut për akuzën e evazionit fiskal për shifrën e 15 milionë eurove.

“Që Rosell të ndodhet në burg sot është një perversitet i sistemit gjyqësor dhe një abuzim i institutit të paragjyqësorit. Ku është prezumimi i pafajësisë? Është e turpshme! Familja nuk ka më para as për të ngrënë. Jetojnë me bamirësinë e pjesës tjetër të familjes.

Ka mijëra formula përpara se të burgosësh dikë për të shmangur arratisjen. Ai nuk ka prishur as provat dhe as e ka përsëritur krimin. Mund t’i bllokojnë pasaportën, apo t’i vendosin një pajisje elektronike. Gjithçka, përveç burgut. Është absolutisht e padrejtë”, tha avokati Pau Molins.