Nuk ka arritur ta ndihmojë Italinë të sigurojë kualifikimin në Botëror, por mund të bëjë për vete Real Madrid. E ardhmja e Andrea Belottit sipas të përditshmes “Sport.es”, mund të jetë “e bardhë” në fund të këtij sezoni.

Florentino Perez, verën e ardhshme, do të blejë një qendërsulmues për të kompletuar një repart ku do të duhet të fusë energji të freskëta, duke parë se Cristiano Ronaldo (33 vjeç në shkurt), Benzema (30 në dhjetor) dhe Bale (28 vjeç, por që vazhdon të dëmtohet) nuk japin më shumë garanci.

Objektivi numër një është Harry Kane (24 vjeç), por nuk do të jetë aspak e lehtë të bindet Tottenham që ta lërë të lirë.

Për këtë arsye, Belotti është kthyer në kandidatin kryesor. Për të, presidenti i Real Madrid do të ishte gati të paguante klauzolën 100 milionë euro të përfshirë në kontratën e tij nga presidenti i Torinos, Cairo.