Dy prindërit e gjyqtares Fildeze Hafizi të vrarë nga ish-bashkëshorti i saj Fadil Kasemi, janë thirrur në prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku kanë treguar konfliktet që kanë pasur me ish-dhëndrin e tyre tashmë të arrestuar.

Benjamin dhe Nafije Hafizi, janë paraqitur ditën e Premte tek prokurori Dritan Prençi, ku kanë dhënë shpjegime dhe njëherësh janë interesuar lidhur me fatin e hetimeve që kjo prokurori po kryen lidhur me vrasjen e vajzës së tyre.

Nga sa mësohet prokuroria është në fazën përfundimtare të hetimit kundër Fadil Kasemit dhe se të premten ka kryer veprimet e fundit procedurale, duke pyetur dy prindërit e viktimës dhe njëherësh duke i vënë në dijeni ata se dosja kundër ish-dhëndrit do të shkojë në gjykatë.

Mësohet se burrë e grua i kanë treguar prokurorit Prençi, konfliktet që ka pasur vajza e tyre me burrin, divorcin që zhvilloi me të dhe së fundi, kërcënimet me vrasje gjatë kohës kur Fadil Kasemi ka qenë në burg dhe pasi ka dalë.

“…Jeta jonë është mbuluar nga skëtera…, që nga momenti kur lindën konfliktet mes ish-dhëndrin dhe vajzës…”-mësohet ti kenë dhënë prokurorit Prençi, dy prindërit e gjyqtares Fildeze Hafizi.

Pak kohë më parë prokuroria e Krimeve të Rënda u njoh dhe me vendimin përfundimtar të tre ekspertëve psikikë, të cilët në konkluzionin e tyre e kanë nxjerrë Kasemin si person i aftë mendërisht. /Shqiptarja/