Lutjet e së premtes në një xhami në Egjipt morën një kthesë tragjike pasi një sulm i mirëkoordinuar me bombë dhe armë goditi besimtarët, duke vrarë mbi 300 persona dhe duke plagosur 100 të tjerë. Sulmit nuk i shpëtuan as ambulancat që transportonin të plagosurit nga ky sulm.
Sulmi vdekjeprurës në xhaminë e “Al Raëdah” në Bir al-Abed, Sinai i Veriut, bëri që qytetarët të iknin me vrap nga ndërtesa, duke kërkuar të shpëtonin jetën e tyre, por edhe në këto momente u qëlluan nga persona të armatosur. Fotot e shpërndara në internet tregonin trupat e viktimave të mbuluara me batanije brenda xhamisë. Mesa duket qëllimi ishte një dhe i vetëm. Të shfarosnin sa më shumë.
“Ata po qëllonin mbi njerëzit serish kur u larguan nga xhamia”, tha një banor vendas, të afërmit e të cilit ishin në vendngjarje. “Ata po qëllonin edhe ambulancat”.
Zyra e Presidentit egjiptian Abdelfattah El-Sisi ka shpallur tri ditë zie. Ai tha se megjithëse sulmi kishte për qëllim lëkundjen e besimit të egjiptianëve, ai vetëm do të rrisë përpjekjet e vendit për të luftuar terrorizmin, sipas Al Arabiya. Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur ngushëllimet e tij për presidentin egjiptian, duke e përshkruar sulmin e së premtes si mizor dhe cinik. “Vrasja e civilëve gjatë një riti fetar është e habitshme me mizorinë dhe cinizmin e saj. Ne jemi edhe njëherë të bindur se nocioni i moralit njerëzor është absolutisht i huaj ndaj terroristëve”, tha Putin.