Departamenti i Kombeve të Bashkuara për Informacionin Publik (DPI), pas një kërkese të bërë nga Turqia, ka shkëputur të premten lidhjet me Fondacionin e Gazetarëve dhe Shkrimtarëve (JWF), i cili llogaritet i afërt me organizatën terroriste FETO, raporton Anadolu Agency (AA).

Fondacioni i Gazetarëve dhe Shkrimtarëve (JWF), për kryetar nderi, ka liderin e organizatës së lartpërmendur terroriste Fetullah Gylen.

Një vendim i tillë është marrë pas një kërkese të bërë nga Misioni i Përhershëm i Turqisë në OKB, dhe pasi paraprakisht OKB pezulloi statusin konsultativ të tre organizatave të lidhura me FETO-n.

Këshilli Ekonomik dhe Social i Kombeve të Bashkuara (ECOSOC), që është një nga gjashtë organet kryesore të OKB-së, në prill të këtij viti miratoi me konsensus pezullimin e lidhjeve me organizatat “Kimse Yok Mu”, “JWF” dhe “Konfederatën e Afaristëve dhe Industrialistëve Turq.” Tre organizatat në fjalë, u mbyllën në Turqi për përkrahjen e tyre ndaj tentativës për grusht shteti në Turqi, më 15 korrik të vitit 2016.

Organizata qëndron prapa tentimit të dështuar për grusht shteti më 15 korrik të vitit të kaluar, ku ranë dëshmorë 250 persona, ndërsa rreth 2.200 të tjerë u plagosën. FETO zhvillonte fushatë shumëvjeçare për përmbysjen e pushtetit përmes infiltrimit në institucionet turke, veçmas në ushtri, polici dhe në gjyqësor.