Skënderbeu sipas, të gjitha gjasave, nuk do ta ketë Bajram Jashanicën për dy takimet e radhës në kampionat. Qendëmbrojtësi 27-vjeçar, që u dëmtua në fundin e pjesës së parë të sfidës me Vllazninë, iu përgjigj ftesës për grumbullim nga Përfaqësuesja e Kosovës për miqësoren me Letoninë, por thjesht për të konstatuar se e ka të pamundur angazhimin për testin në fjalë.

Mbrojtësit do t’i duhet të qëndrojë rreth 3 javë jashtë fushës së futbollit. Një afat rikuperimi prej 3 javësh, nëse konfirmohet edhe nga testet e mëvonshme mjekësore, do të thotë se Jashanica do të humbasë të paktën dy takimet e radhës në Kategorinë Superiore, përballjen e mesjavës së ardhshme ndaj Flamurtarit në Vlorë, si edhe ndeshjen me Kamzën në stadiumin e Korçës.

Takime ku Ilir Dajës i duhet të bëjë pa një element të rëndësishëm në fazën mbrojtëse për Skënderbeun, pasi Jashanica ka dhuruar siguri e paraqitje mjaft të mira para Orges Shehit këtë sezon.

Ndërkohë, në dyshim serioz është impenjimi i Jashanicës edhe për përballjen e 23 nëntorit në Europa League me Dinamon e Kievit, me mbrojtësin që i duhet të djegë etapat e rikuperimit, për të qenë i gatshëm për sfidën me kryesuesit e grupit.