Kryeministri Zoran Zaev sot niset për në Budapest ku do të marrë pjesë në Samitin e 6-të të shefave të qeverive në procesin për bashkëpunim të Republikës Popullore të Kinës me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, i cili mbahet prej sot deri më 28 nëntor në kryeqytetin e Hungarisë.

Siç kumtoi shërbimi qeveritar për media, në delegacionin zyrtar të Maqedonisë në samit janë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë i obliguar për Çështje ekonomike  Koço Angjushev, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministri i Kulturës Robert Alagjozovski, sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe koordinues nacional për bashkëpunim me grupin 16+1 Viktor Dimovski dhe këshilltari për ekonomi në kabinetin e kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Fatmir Besimi.

“Delegacioni i Republikës së Maqedonisë në këtë samit, i njohur edhe si Samiti 16+1, do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së forumit ekonomik, tregtar dhe financiar, si dhe në punën e sesionit plenar të forumit, në të cilin fjalim do të ketë edhe kryeministri Zoran Zaev. Zaevi, si dhe anëtarët tjerë të delegacionit qeveritar, gjatë Samitit të 6-të të shefave të qeverive në procesin për bashkëpunim të Republikës Popullore të kinës me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, do të kenë shumë takime bilaterale”, informoi shërbimi qeveritar për media.

Kryeministri Zaev, të martën më 28 nëntor, do të ketë takim me Li Keçijan, kryeministër i RP të Kinës dhe të njëjtën ditë do të takohet edhe me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban.