Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi dhe deputetët deputetët Frosina Tashevska-Remenski, Ejup Alimi dhe Fadil Zendeli vizituan në Biznes shkollën e Stokholmit pranë Universitetit të Stokholmit.

Në kuadër të vizitës së Shkollës, njoftojnë nga pres-shërbimi i Kuvendit, kryetari Xhaferi dhe anëtarët e delegacionit zyrtar kanë pasur rastin që të njoftohen me aktivitetet dhe programet shkencore të Shkollës, por edhe të diskutojnë për çështje ekonomike aktuale me magjistra dhe doktorantë të kësaj shkolle të arsimit sipëror me renome, e cila ekziston prej vitit 1909.

Delegacioni është pritur nga Jan Riçardson, drejtor i arsimit në Shkollë dhe nga shërbimi i tij dhe ekipi i hulumtuesve shkencorë. Ato kanë prezantuar punën e Shkollës, programet e saj arsimore, profilin e studentëve dhe diversitetin e kombësive dhe shteteve prej ku ato vijnë. Informuan për shkallën e titujve akademikë që fitohen gjatë procesit arsimor, si edhe për integrimin e mëtutjeshëm të kuadrit të edukuar në shoqërinë suedeze, por edhe në gjithë botën.

Nga pres-shërbimi njoftojnë se Jan Riçardson ka informuar për bashkëpunimin e shkëlqyer me Ambasadën e Republikës së Maqedonisë në Stokholm, sidomos në suazat e Projektit për dukshmërinë e mediumeve në Republikën e Maqedonisë. Bëhet fjalë për hulumtim për atë se si qytetarët suedezë e perceptojnë qytetarin e Maqedonisë, Republikën e Maqedonisë dhe dimensionin e saj kulturor, social dhe shoqëror.

“Me angazhimin e përkushtuar të Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Mbretërinë e Suedisë, është zbatuar një projekt studimor i përbashkët për atë se si Republika e Maqedonisë mund ti përparojë marrëdhëniet me Suedinë, jo vetëm nëpërmjet diplomacisë shtetërore por edhe nëpërmjet diplomacisë publike. Këto hulumtime shkencore u prezantuan para publikut akademik dhe atij më të gjerë në Suedi dhe janë burim i hulumtimeve të mëtutjeshme akademike.

Dekani i Shkollës, z-nja Maria Frasli Henigson, informoi se Universiteti i Stokholmit është një nga institucionet më të mira të arsimit sipëror në botë dhe prej këtu kanë dalë shumë politikanë të njohur suedezë, funksionarë të lartë shtetërorë dhe biznesmenë”, thuhet në kumtesën nga Kuvendi.

Gjatë diskutimit, shtohet më tej, janë këmbyer këndvështrime për nevojën për bashkëpunim më të ngushtë me institucionet ekonomike-arsimore në Republikën e Maqedonisë dhe për zhvillimin e mundësive për këmbimin e kuadrove të profesorëve dhe kuadrove tjerë profesionalë, veçanërisht nëpërmjet projektit Erazmus +, ku Universiteti i Stokholmit është i ndërlidhur me më shumë universitete nga shtetet ballkanike.