Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pranë OSBE-së në Vjenë, Harry Kamian thotë se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është implikuar nga autoritetet italiane për mbështetje ndaj trafikantëve të drogës.

Në një deklaratë për mediat Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se: përshëndet deklaratat e ish- ambasadorit i cili foli qartë për atë se çfarë po ndodh në Shqipëri.

“LSI ka të njëjtin qëndrim të palëkundur se korrupsioni dhe kriminaliteti mbeten pengesa të mëdha në zhvillimin e Shqipërisë.

Kjo deklaratë që flet me emra të përveçëm dhe vendos gishtin mbi plagë është e kundërta e gjuhës se rrumbullakosur që kemi dëgjuar këtë kohë ku krimi dhe droga janë ulur këmbëkryq me qeverisjen”, tha Kryemadhi.

Teksa përshëndet emërimin e Bernd Boshard në krye të misionit të OSBE-së në Shqipëri, ai thekson se korrupsioni dhe kriminaliteti mbetet pengesa kryesore për prosperitetin e vendit.

“Korrupsioni dhe kriminaliteti në të vërtetë mbeten pengesa për prosperitetin në Shqipëri. Një ish-ministër i brendshëm – i cili tani është anëtar i Parlamentit – është implikuar në Itali për mbështetjen e trafikantëve të drogës.

Z. Ambasador, duke iu drejtuar këtyre dhe problemeve të tjera, koordinimi midis aktorëve ndërkombëtarë do të vazhdojë të jetë një nga çelësat e suksesit”, theksoi ai.