Ndarja nga jeta në moshën 68-vjeçare e kompozitorit të mirënjohur, Aleksandër Lalo tronditi mbarë opinionin publik. Në nder të tij, orkestra e “Xing me Ermalin” luajti sot një nga këngët më të njohura të kompozuara nga maestro Lalo.

Ndërsa moderatori Ermal Mamaqi i dedikoi Aleksandër Lalos disa fjalë të ndjera duke u shprehur se ai ishte artist i pakompromentueshëm.

“E dimë apo nuk e dimë, kompozimet e tij janë bërë pjesë e jetës sonë. Aleksandër Lalo ishte artist me kuptimin e plotë të fjalës. I talentuar, i pakompromentueshëm. Derisa ishte gjallë nuk e vlerësuam aq sa duhej, por siç e thoshte edhe ai vetë, çmimet janë të pavlera, kur është puna e vlefshme. Dhe e tillë është edhe puna e Aleksandër Lalos: E vlefshme dhe e përjetshme. U prehsh në paqe mjeshtër!”, u shpreh Ermal Mamaqi.