Pankina e Italisë nuk është vend i lakmuar nga të gjithë trajnerët italianë. Ka nga ata që e kanë refuzuar atë dhe këtu përmendim Allegrin, Spalletin e Capellon.

Kësaj liste i shtohet edhe Roberto Donadoni. Tekniku i Bolonjës bëri të ditur se iu dha mundësia për të marrë në duar frenat e ‘Të Kaltërve’, por e hodhi poshtë atë.

“Tavecchio më kontaktoi, por unë e kisha një detyrë, drejtimin e Bolognas, kështu që vendosa të qëndroj te kjo skuadër, edhe pse më erdhi mirë që emri im u përmend. Të drejtosh kombëtaren është një detyrë prestigjioze që mbart një përgjegjësi të madhe. Problemi këtu qëndron në faktin se mjafton një rezultat negativ që në ambiente të flitet për largim nga posti”, tha Donadoni.

Ndërkohë që Donadoni refuzon të marrë drejtimin e Italisë, një tjetër emër del në skenë sot. Ish-trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, sapo u shkarkua nga stoli i Alaves dhe përflitet se mund të jetë ai pasardhësi i Venturës.

Para pak kohësh De Biasi ishte kandidat për të marrë drejtimin e axurrëve, por në atë kohë presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Carlos Tavecchio, emëroi Venturën.

Tashmë gjërat kanë ndryshuar, Ventura dështoi tek Italia, Tavecchio nuk është më president i Federatës, dhe me disa trajnerë që refuzojnë stolin e Italisë, De Biasi mund të jetë kreu i ri i pankinës së katër herë kampionëve të Botës.