Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka adresuar akuza të rënda në drejtim të mbështetësve të Aleancës Kosova e Re, para balotazhit për kryetar të Prishtinës.

Molliqaj i ka cilësuar votuesit e AKR’së në Prishtinë për klientelizëm, teksa ka folur për balotazhin që do të zhvillohet në Prishtinë, ndërmjet kandidatit të VV’së, njëherësh kryetar aktual i Komunës, Shpend Ahmeti, dhe kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi.

“Për mua është shqetësuese koncepti i klientelizmit në këto zgjedhje”, ka thënë Molliqaj në emisionin “Jeta në Kosovë”, në RTK.

“Votuesi i AKR’së, me aq sa e kam parë në Prishtinë, është votues kryesisht i larguar nga LDK, pra pjesa më e madhe. Një pjesë është edhe klientelist”, është shprehur ai.

“Elektorati i AKR’së në Prishtinë nuk do ta që ta kthejë në qeverisje prapë LDK’në”, ka shtuar Molliqaj, duke parashikuar se mbështetësit e AKR’së do t’i japin mbështetje Ahmetit në balotazh. /Express/