Kreshnik Çollaku, në emër të këshilltarëve të PD në këshillin bashkiak të Tiranës, akuzoi këtë këshill se shkeli Rregulloren për miratimin e 2 vendimeve korruptive. Sipas tij, Veliaj ka favorizuar në mënyrë të paligjshme për një biznes taksish, në shkelje të konkurencës, si dhe ka zëvendësuar palmat (600 mijë euro) me pisha, një aferë korruptive prej 2.5 milionë euro, ku 1 pishë kushton 5 milionë lekë.

“Kemi dhënë argumenta, kritikat dhe oponencën por edhe mbështetjen në ato që na janë dukur racionale dhe në shërbim të qytetarëve të Tiranës. Në mënyrë të papritur, jashtë çdo lloj procedure të mbledhjes, jashtë çdo lloj detyrimi të rregullores, nga grupi i maxhorancës është tentuar të imponohej dy vendime për tu diskutuar në mbledhjen e Këshillit, për të cilat në dijeni janë vetëm krerët e grupit të maxhorancës. Asnjë komisioni nuk i ka trajtuar projekvendimet dhe nuk janë mbledhur. Asnjë këshilltar, jo vetëm të opozitës por edhe një pjesë e mirë e maxhorancës nuk ishin në dijeni të këtyre projektvendimeve dhe për këtë shkak po tentohet me forcën e kartonave në mënyrë abuzive që ato të kalojnë në mënyrë të dhunshme duke thyer çdo etikë, çdo kod, çdo respekt të mandatit të këshilltarëve, çdo procedurë të ndjekur deri më sot”, tha Çollaku.

Në vijim ai sqaroi qëndrimin e këshilltarëve të PD-së për t’u larguar nga mbledhja.

“Një nga këto projektvendime është aferë e pastër, një shërbim dhe favorizim që i bëhet një biznesi taksish në kryeqytet në kundërshtim dhe në dhunim me normat normale të konkurencës dhe respektit të biznese të tjera. Për më tepër në dhunim flagrant të institucionit të Këshillit Bashkiak, pa dijeninë e këshilltarëve, në mënyrë klandestine dhe ky proçes po ndodh në mënyrë fallso dhe fasadë në këto momente në Këshill.

Në këtë situatë ne kemi vendosur të mos jemi fasadë e kësaj historie të shëmtuar, abusive dhe të këtij monopoli që duan të krijojnë për interesa oligarkësh të caktuar e interesash private që do ti zbardhim në ditët në vijim”, tha Çollaku.