Buxheti për vitin 2018 është projektuar në 211,7 miliardë denarë ose 3,44 miliardë euro. Të ardhurat janë planifikuar në 193,5 miliardë, ndërsa deficiti buxhetor në 18,2 miliardë denarë ose 2,7 për qind nga BPV-ja. Për të ardhura kapitale janë paraparë 24,7 miliardë denarë, ndërsa në buxhetin e propozuar ka mjete edhe për paga më të larta në arsim, shëndetësi, si dhe rritje të pensioneve, gjegjësisht harmonizim i tyre me shpenzimet për jetesë.

Sipas Propozim-buxhetit, që sot u prezantua në debatin publik në Ministrinë e Financave, shpenzimet janë për 4,1 për qind më të larta nga ato në vitin 2017, ndërsa të ardhurat për 4,7 për qind.

Ministri i Financave, Dragan Tevdovski theksoi se është planifikuar konsolidim gradual fiskal i cili shihet edhe nga ajo që deficiti i planifikuar për vitin e ardhshëm është më i ulët për 0,2 për qind nga ai në vitin 2017 i cili është paraparë në 2,9 për qind.

Në afat të mesëm, është planifikuar konsolidim gradual fiskal, gjegjësisht kontroll i ashpër i shpenzimeve më pak produktive, njëkohësisht sigurim i shumës së konsiderueshme të investimeve kapitale për mbështetjen e ekonomisë vendore, tha ministri Tevdovski, i cili shtoi se deficiti buxhetor do të financohet nga burime vendore dhe të jashtme varësisht nga kushtet e tregut.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve janë të dedikuara për pensione, mbrojtje sociale dhe të fëmijëve me 32 për qind nga shpenzimet e përgjithshme, 19 për qind janë të dedikuara për zhvillimin ekonomik dhe punën financiare, 14 për qind për shëndetësi, 11 për qind për arsim, shkencë dhe sport, nga pesë për qind për ndërtimtari, transport, komunikim dhe ekologji, bujqësi dhe rend publik dhe siguri, tre për qind për mbrojtje, nga dy për qind për punë të jashtme dhe BE integrim dhe kulturë, dhe nga një për qind për gjyqësi dhe zhvillim rajonal.

Pagat janë projektuar në 27,1 miliardë denarë dhe ka rritje prej 460 milionë denarë për shkak të pagave më të larta për të gjithë pjesëtarët e ARM-së, punësimeve të reja në kopshtet për fëmijë, si dhe rritjes së pagave në shëndetësi, arsim dhe kopshte për pesë për qind e cila është planifikuar me pagën e shtatorit në vitin 2018.

Tek shpenzimet kapitale është planifikuar rritje prej 1,3 miliardë denarë më shumë në krahasim me ribalancin nga viti 2017. Ministri tha se është planifikuar intensifikim i të gjitha aktiviteteve në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën komunale dhe energjetike, investime në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje të fëmijëve, ndërsa posaçërisht janë rritur mjetet për mbrojtje dhe gazifikim.

Në suaza të shpenzimeve kapitale janë planifikuar mjetet për përfundimin e aksit rrugor Demir Kapi – Smokvicë, rikonstruimi i korridorit 10, ndërtimi i binarëve hekurudhor nga Korridori 8, rindërtimi i hekurudhës Manastir-Kremenicë dhe ndërtimi i seksionit rrugor Gradsko-Drenovë, për të cilën gjithsej janë planifikuar 3,5 miliardë denarë. Për infrastrukturë komunale janë planifikuar 5,9 miliardë denarë për ndërtim të sistemit kombëtar gazpërçues, për ujësjellës dhe kanalizime, stacione filtruese dhe zhvillim të barabartë rajonal. Për investime në ZZHTI janë planifikuar 431 milionë. Për ndërtimin e kopshteve për fëmijë, objekteve sportive, shkollave fillore dhe të mesme, universiteteve dhe konvikteve studentore janë planifikuar 2,4 për qind miliard denarë, për investime në shëndetësi 1,9 miliardë denarë, për investime në mbrojtje një miliardë denarë, në gjyqësi 531 milionë denarë dhe për rend publik dhe siguri 917 milionë denarë.

Ministri Tevdovski paralajmëroi se shkalla e kontributeve sociale nuk do të mund të ndryshohet, ndryshim do të ketë vetëm te ata pranues të pagave më të larta te të cilët do të rritet kryegjëja prej 12 në 16 paga mesatare. Kthimi i TVSH-së ndaj firmave, theksoi Tevdovski, edhe më tej do të jetë i rregullt dhe jodiskriminues, duke theksuar se në shtator është bërë kthesë prej 2 miliardë denarë.

Për mallra dhe shërbime janë paraparë 17,2 miliardë denarë dhe ato janë më të ulëta për 420 milionë denarë gjegjësisht për 2,4 për qind në krahasim me projektimin për vitin 2017.

Në debat morën pjesë përfaqësues të odave ekonomike, sindikatave, sektorit joqeveritar dhe institucioneve ndërkombëtare financiare prezente në Maqedoni.

Sektori i biznesit kërkoi zbatim të mirë të tatimit progresiv që kompanitë të jenë të gatshme për zbatimin e tij, sindikatat u zotuan për rritje të pagave dhe pagesës të K-15, ndërsa sektori joqeveritar për realizimin e të ardhurave kapitale.

Sipas ministrit Tevdovski, pikërisht në drejtim të gatishmërisë së mirë tatimi progresiv do të fillojë në vitin 2019.

Për pagat u përgjigj se tashmë po ndërmerren masa për rritjen e nivelit të përgjithshëm të pagave me rritje të pagës minimale, ndërsa se vitin e ardhshëm do të ketë rritje në atë që bazohet shoqëria gjegjësisht në arsim dhe shëndetësi. Sipas tij, me rritjen ekonomike do të kontribuohet edhe drejt rritjes së pagave në të gjithë sektorët. Për mundësinë për pagesën e K-15 tha se nuk janë paraparë mjete në Propozim-buxhetin për vitin 2018, por nëse krijohen kushte mund të bëhet me ribalancin