Me nënshkrimin e Deklaratës së përbashkët në të cilën janë vlerësuar të gjitha angazhimet për avancim të bashkëpunimit në të gjitha sferat dhe me nënshkrimin e nëntë marrëveshjeve bilaterale, përfundoi mbledhja e parë e përbashkët e Qeverive të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë që u mbajt sot në Strumicë.

Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, në konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev e theksoi mbështetjen ndaj Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Eropian dhe në NATO.

“Dëshiroj vetëm të them se pardje gjatë takimit me kryetarin e Parlamentit evropian Tajani, së bashku me grupet parlamentare nga Parlamenti evropian në Sofje, thashë qartë se tani është momenti të shfrytëzohet kryesimi bullgar, pas atij austriak, rumun dhe kroat dhe për dy vite Ballkani Perëndimor mos jetë vetëm në vëmendjen e Brukselit, por të lëvizë realisht. Jam i bindur se për dy-tre muaj do të arrijmë ta ulim roamingun. Jam i bindur se edhe Korridori 8 do të zhvillohet. Politika jonë është në politikën për bashkangjitje në pjesën e ekonomisë, energjetikës sepse kjo sjell investime dhe të ardhura më të larta. Njerëzit dëshirojnë punë, të kenë të ardhura, të mund të udhëtojnë dhe të bëjnë biznes, ndërsa ne jemi të obliguar t’ua mundësojmë këtë”, tha Borisov.

Ai theksoi se konsideron që perspektiva e Maqedonisë në NATO është me rëndësi të madhe, dhe se si qeveri do të vazhdojnë me një sërë veprimesh praktike.

Kryeministri Zaev theksoi se deklarata e përbashkët është bazuar në frymën e transparencës dhe besimit, respektimit të ndërsjellë dhe mirëkuptimin me theksim të rëndësisë së bashkëpunimit aktiv rajonal si bazë për stabilitet të qëndrueshëm në Evropën Juglindore.

“Nuk ekziston diçka që nuk jemi të aftë ta bëjmë më mirë se ajo që mendojmë se mundemi. Maqedonia dhe Bullgaria e bënë, qëndruam pranë njëra-tjetrës me marrëveshjen e nënshkruar për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, ndërkaq me mbledhjen e sotme qeveritare aktivizuam edhe një nga motorët të cilët duhet ta tërheqin tërë rajonin përpara. Këtë vetëdije që e kemi si qeveri për përgjegjësinë tonë historike që hap perspektiva, është me rëndësi për marrëdhëniet tona bilaterale, për eurointegrimin e Maqedonisë dhe të rajonit”, theksoi kryeministri Zaev.

Shtoi se në mbledhjen e përbashkët janë konfirmuar sferat e interesit të përbashkët për zhvillim të përgjithshëm.

“Në mbledhjen e përbashkët biseduam për bashkëpunimin në ekonomi, energjetikë, infrastrukturë, do ta zhvillojmë bashkëpunimin tejkufitar, do të vazhdojmë me proceset e nevojshme reformuese për integrime evropiane dhe euroatlantike. T’i përforcojmë lidhjet tregtare dhe afariste. Promovuam udhëtim të turistëve nga vende të treta, përfshirë zhvillim të prodhimit të përbashkët turistik”, tha Zaev.

Ai theksoi se me kryeministrin bullgar Borisov biseduan për furnizim plotësues me gaz të të dy vendeve, si dhe për realizimin e Korridorit 8 si prioritet kulmor i interesit të përbashkët.

Kryeministri Zaev theksoi se para kryesimit të Bullgarisë me BE-në, Maqedonia e sendërtoi bashkëpunimin, përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë në realizimin e proceseve reformuese dhe ndihmës nga përvojat dhe ekspertizat bullgare.