Ish-kryeministri italian,  Silvio Berlusconi u zotua sot se nëse koalicioni i tij i qendrës së djathtë fitonte në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm, vendi nuk do të dilte nga Bashkimi Evropian apo eurozona.

Deklarata e Berlusconit ka rënë ndesh me qëndrimet e mëparshme anti-BE dhe anti-euro të aleatëve të  tij të së djathtës, partia ”Liga e Veriut”, ”Aleanca Kombëtare” dhe ”Vëllezërit e Italisë” dhe pjesërisht me sugjerimet e tij më të fundit se Italia mund të fuste një monedhë paralele me euron.

“Ndryshe nga Britania e Madhe, edhe sikur të duam ne,  nuk e përballojmë dot të largohemi nga BE-ja”,  tha Berlusconi për gazetën italiane“Il Messaggero”.

“Kushtet e ekonomike në vend  dhe borxhi publik nuk do ta mundësonin marrjen e këtij vendimi,” shtoi ai.

Deklarata e Berlusconit vjen pas fitores së qendrës së djathtë në votimet rajonale të 5 nëntorit në Siçili, që u konsiderua si një provë për zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm, maj 2018, dhe mes sondazheve të opinionit kombëtar që e renditën kampin e Berlusconit në krye të listës.