Përfundoi me një dënim prej një viti e gjysmë burg, lidhja mes një mësuesi matematike 31-vjeçar dhe nxënëses së tij 14 vjeçe, e cila në kohën e ngjarjes ishte 13.

Procesi gjyqësor u zhvillua në Fontainebleau, në jug të Parisit këtë të hënë.

Profesori u dënua që të mos ushtrojë më profesionin e tij dhe të mos ketë më kontakt me të miturën.

Lidhja mes tyre nisi një vit më parë dhe vazhdoi deri para disa javësh, kur e mitura deklaroi se ishte manipuluar.

“Isha me të, e mbroja deri në momentin kur fola me nënën time. Kuptova se ishte e rëndë dhe se nuk mund të vazhdoja më”, tha e mitura në sallën e gjyqit, shkruan noa.al.

Gjatë seancës, vajza nuk i rezistoi dot ballafaqimit duke dalë nga salla.

Nga ana e tij mësuesi shpjegoi se në muajin shkurt, nxënësja e tij, e cila vuan nga depresioni dhe anoreksia ishte hapur me të. Ditë pas dite mësuesi kuptoi se ishte lidhur me të dhe se ishte dashuruar pas saj.

“Kur isha me të, ishte vetëm e dashura ime, jo një nxënëse dhe as një 14-vjeçare. Duheshim dhe ishim shumë të lumtur”, deklaroi ai në gjykatë.