BE-ja dhe eurozona ndodhen para dilemave të ngjashme si ish-Jugosllavia në fillim të viteve të 90-ta, së paku kur bëhet fjalë për barazim të mëtutjeshëm të sistemeve tatimore në vendet-anëtare.

Këtë e vlerësoi njëri nga ekonomistët më të njohur slloven, akademiku Jozhe Mencinger.

“A do të bëhet BE-ja union financiar? Unë këtu shoh tre skenarë të mundshëm, sipas shembullit të atyre nga ish-Jugosllavia”, deklaroi Mencinger në konferencën për tatime të mbajtur në Zagreb.

Skenari i parë, modeli “konfederal”, nënkupton decentralizim të plotë fiskal, në të cilin politika fiskale mbetet në kompetenca të vendeve-anëtare.

Modeli i dytë do të thotë lidhje e paktit fiskal, siç është situata momentale, kur anëtaret vetëm një pjesë të vogël nga të ardhurat e tyre i investojnë në arkën e përbashkët të BE-së.

Modeli i tretë është unioni fiskal, në të cilin anëtaret një pjesë të mirë të të ardhurave të tyre fiskale ia lënë buxhetit të përbashkët të Unionit. Kjo në të vërtetë do të ishte modeli “federal”, siç ka ekzistuar në RSFJ.

Analizat, të cilat i ka bërë Mencinger për eurozonën dhe BE-në, tregojnë se modeli i tillë “jugosllav” do të thoshte heqje dorë e anëtareve të pasura nga të ardhurat e mëdha, të cilat i grumbullojnë në dobi të buxhetit të përbashkët, ndërsa ato mjete më pas do të transferoheshin edhe në anëtaret më dobët të zhvilluara.

Thënë më thjesht, anëtaret më të pasura të BE-së, me këtë, së paku në shikim të parë, do të ishin në humbje, ndërkaq më të varfërat në përfitim. Por, më të pasurave kjo do t’u kthehej përmes rritjes së standardit në anëtaret më dobët të zhvilluara, kështu që në fund edhe ato do të ishin në plus.

Eurodeputetja kroate Ivana Maletiq paralajmëroi se vështirë mund të flitet për union fiskal përderisa disa nga anëtaret e BE-së janë jashtë eurozonës dhe derisa nuk arrihet shkallë më e lartë e integrimit monetar. Sipas saj, duhet të punohet në zvogëlimin e dallimeve në shkallën e zhvillimit mes anëtareve.

“Në të kundërtën do të kemi ndarje të mëtutjeshme brenda në BE”, theksoi Maletiq.

Ajo theksoi se tema kryesore në politikën tatimore të BE-së për momentin janë lufta kundër mashtrimeve tatimore, si dhe vendosja e rendit në punën me oazat tatimore.