Bashkimi Evropian sot bëri të ditur se deri në fund të vitit do t’i paguajë Turqisë tre miliardë euro të dedikuara për ndihmë të refugjatëve, të cilat ia premtoi me Marrëveshjen për ndalimin e fluksit të refugjatëve, të lidhur në vitin 2016.

“Planifikojmë deri në fund të 2017 të ndajmë tre miliardë euro për ndihmë të refugjatëve në Turqi”, deklaroi në Bruksel eurokomisari për Migrim Dimitris Avramopulos.

Ankaraja deri tani disa herë e ka akuzuar BE-në se nuk i përmbush detyrimet e veta nga Marrëveshja, para së gjithash në pjesën e pagesës së ndihmës financiare për refugjatët që ndodhen në Turqi.

Me Marrëveshjen Ankaraja u obligua për ndalimin e fluksit të refugjatëve nga territori turk drejt Ballkanit, ndërsa si përgjigje Brukseli premtoi ndihmë financiare për përkujdesjen e tyre në Turqi, pezullim të regjimit të vizave për shtetasit turq gjatë udhëtimit të vendet e Unionit dhe përshpejtim të negociatave për anëtarësim të vendit në BE.

Vendimet për pezullimin e regjimit të vizave dhe pëshpejtim të negociatave për anëtarësim ishin ngrirë pas tentimit të vitit të kaluar për grusht shtet në Turqi dhe masat që i ndërmorën autoritetet në Ankara kundër personave të dyshuar për lidhshmëri me puçin.