Kreu i opozitës Lulzim Basha ka lëshuar sot akuza të forta në Kuvend, ku po prezantohet dhe votohet Buxheti i Shtetit i vitit 2018.

Sipas Bashës, me vendimin për faturat e TVSH-së, kryeministri Rama po përgatit koncesionin për vëllain e tij.

Pjesë nga fjala e Bashës

Pak ditë më parë Rama u shfaq në shtëpinë e një familje të thjeshtë të Bulqizës. Para atyre njerëzve u shfaq me arrogancën e vet, dhe gënjeu duke i fshehur dhe fshirë vuajtjet e fëmijëve të Bulqizës, të cilët mjerimi i ka kthyer në viktima të kromit, në përpjekje për të mbijetuar. A ka dramë më të madhe për një vend, se kur një gazetare e huaj i përgjërohet kryeministrit të bëjë diçka për fëmijët e vendit të tij, dhe ky i fundit i përvishet dhe i quan kazan. Këtë e bën një i pashpirt.

Atë ditë një qytetar i Bulqizës, më shkroi i irrituar, dhe më tregoi se Edi Rama shkoi në Bulqizë, pro karriget i kishte sjellë nga Tirana, pasi për të Bulqiza është skenë ku interpreton shfaqjen e radhës. Duke e trajtuar realitetin si teatër merr me vete ngado ku shkon skenat, kolltukët, figurantët, të gjitha të organizuara me kujdes nga regjisorët e rilindjes. Ky ishte në Bulqizë, por nuk pa varfëri, nuk pa shtëpitë e rrënuara, nuk pa fëmijët që punonin, ata që pasqyruar mediat italiane.