Rritja ekonomike në Ballkanin  Perëndimor këtë vit do të jetë 2,6 për qind,  vitin e ardhshëm 3,3 për qind, ndërsa në vitin 2019 do të jetë 3,6 për qind, thuhet në raportin vjetor të Bankës Botërore.

Në raport thuhet se këtë vit Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi kanë shënuar rritje të rëndësishme, falë projekteve të mëdha të financuara nga investime të huaja të drejtpërdrejta, por edhe eksporti më i madh kur bëhet fjalë për Kosovën.

Në Maqedoni dhe Serbi rritja po zvogëlohet. Në Maqedoni përplasjet politike jashtëzakonisht kanë ndikuar mbi konsumin dhe investimet, ndërsa në Serbi, e cila është ekonomia më e madhe në rajon, dimri i ftohtë shkaktoi ulje të prodhimtarisë bujqësore dhe aktivitetit të ndërtimit, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Konsumi ka sjellë rritje stabile në Bosnjë e Hercegovinë, me shkallë si edhe në dy vitet e fundit.

Në vendet e Ballkanit Perëndimor, siç transmeton MIA, në gjysmën e parë të këtij viti janë hapur 230.000 vende pune, që është rritje prej 3,8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa gjendja është e njëjtë si para paraqitjes së krizës botërore në vitin 2008.