Mbi 700 kilogram kokainë, me vlerë prej 186 milionë dollarë, janë sekuestruar në një jaht në ujërat para bregut lindor të Australisë, kumtoi sot policia australiane.

Policët dje e kanë zbuluar drogën në afërsi të Sidneit, dhe gjatë aksionit janë arrestuar tre burra.

Policia australiane ka bashkëpunuar me autoritetet e Polinezisë. Jahti ka lundruar përgjatë Tahitit, para se të hyjë në ujërat territoriale australiane.

“Nuk është çudi që krimi i organizuar lëshohet në tentime të sofistikuara, të cilat përfshijnë lundrim nëpër oqeane me lundruese të vogla, me qëllim që të kontrabandojnë drogë”, deklaroi Nil Gohan, ndihmës shefi i policisë federale australiane.