Në kuadër të operacionit policor të orëve të hershme të mëngjesit është arrestuar edhe Goran Angelov i njohur si Qoseto, drejtues i organizatës së beretave të zeza të njohur “Andon Qoseto” dhe pjesë e grupeve “Trdokorni”, që ishin ndër të parët që ndërhynë në Kuvend dhe ushtruan dhunë ndaj deputetëve natën e 27 prillit. Përveç tij ka rënë në pranga edhe aktori Vlado Jovanovski, i cili po ashtu ishte frymëzues i protestave dhe njëri nga organizatorët e tyre atëkohë të organizuara kundër siç thuhej “Platformës së Tiranës” të partive shqiptare.

Qoseto së fundi ka vazhduar të drejtojë akuza dhe kërcënime për sigurinë në vend, duke bërë thirrje për luftë me shqiptarët dhe mbrojtjen e Maqedonisë.  Ky i dyshuar shihet edhe në videot e publikuara për ngjarjet e 27 prillit, duke kërcënuar dhe duke qenë pjesë e turmës që kishte sulmuar deputetët, ku më së shumti pësuan Ziadin Sela i ASH-së dhe deputetët e LSDM-së me stafin e tyre të sigurimit.