Autoritetet italiane kanë shkatërruar një bandë të grabitësve shqiptarë në Milano.

Sipas mediave vendase, janë nxjerrë urdhër-arreste për 11 shqiptarë.

Dhjetë prej tyre kanë masë arresti në burg, kurse njëri arrest shtëpie. Të arrestuarit janë të moshës ndërmjet 21 dhe 47 vjeç.

Banda e shqiptarëve është përgjegjëse për vjedhje dhe grabitje të banesave, dyqaneve e bizneseve në Milano dhe Pavese.

Videoja e publikuar nga policia italiane tregon një moment kur grabitësit hyjnë në një objekt për të grabitur.

Me një objekt si darë të madhe ata arrijnë të presin hekurat dhe më pas hyjnë brenda. Pamjet janë filmuar nga kamerat e sigurisë të atij objekti.

Objektet e vjedhura janë gjetur të fshehura në 3 garazhe në zotërim të anëtarëve të bandës.

Grabitësit vepronin zakonisht në orët e vona të natës. Lëviznin me makina luksoze për të mos rënë në sy duke piketuar vilat apo dyqanet që do të grabisnin.